Policia e Tiranës ka dhënë informacion zyrtar për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e kësaj të hënë, ku një efektiv policie mbeti i vrarë me armë zjarri nga kolegu i tij. Ngjarja ndodhi në ambientet e Komisariatit Nr. 3, në rrethana dhe për shkaqe ende të paqarta.

Viktima është identifikuar si Çaush Saliasi, ndërsa autor i dyshuar i ngjarjes është Ludian Zaimi. Ky i fundit është ndaluar nga policia dhe autoritetet thonë se po punojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Nuk dihet ende se çfarë e bëri efektivin Zaimi që të qëllonte kolegun e tij. Policia thotë se në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për mediat.

“Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë Ludian Zaimi, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Çaush Saliasi, të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme. Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Çaush Saliasi ka ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike. Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media”, thuhet në njoftimin e policisë./tvklan.al