46-vjeçarja Luiza Mullalli e cila u gjet e vrarë dhe e hedhur në një gropë septike nga bashkëshorti i saj, Gjergji Mullalli ka patur urdhër mbrojtjeje. Daniela Zisi, raporton për Klan News se çifti ishte në proces divorci për shkak të alkoolit që autori i vrasjes konsumonte dhe dhunës që ushtronte mbi bashkëshortin.

Çifti ka tre fëmijë, dy vajza të cilat jetojnë jashtë vendit dhe një djalë i cili qëndronte me ta në Zëmblak të Maliqit.

Daniela Zisi: Ka forca të shumta policie. Sapo ka mbërritur në vendngjarje drejtori i policisë rajonale të korçës, ka ekspertë, kanë mbërritur edhe oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët e gatshëm. Janë futur të gjithë në banesë, janë duke këqyrur vendin e ngjarjes, ndërkohë që jashtë është nëna e viktimës e cila ka  akuzuar bashkëshortin duke thënë se ishte ai që nxiste konflikte me 46-vjeçaren dhe ka kërkuar dënimin e tij kapital.

Familjarët e akuzojnë atë se shpesh konsumonte alkool dhe ishte pikërisht konsumi i alkoolit që e kishte detyruar 46-vjeçaren që të kërkonte divorcin. Çifti ka punuar për disa vite në Greqi, ata kanë qenë emigrantë në Greqi, janë kthyer në fshatin Zëmblak, vendlindjen e tyre, kanë ndërtuar një shtëpi dykatëshe ndërkohë që dy fëmijë i kanë të martuar jashtë dhe jetojnë vetëm me djalin e tyre.

Për momentin sa i takon dinamikës së ngjarjes, familjarët thonë që bashkëshorti e ka hedhur pasi e ka vrarë, nuk  dihet në fakt me çfarë e ka vrarë se ende trupi është në morg duke iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, thonë që e ka hedhur nga ballkoni por ndërkohë është një version që nuk është vërtetuar nga policia. Pra thonë që pasi e ka vrarë 46-vjeçaren, autori i krimit e ka hedhur nga ballkoni dhe më pas e ka tërhequr atë dhe e ka zhvendosur në afërsi të gropës septike që ndodhej në oborrin e shtëpisë. Gjithsesi është një version i pakonfirmuar nga policia. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore që të vërtetojë dinamikën dhe mjetin me të cilin ai ka vrarë 46-vjeçaren.

 Nëna e 46-vjeçares thotë që kur ka arritur policia në vendin e ngjarjes ajo e ka parë trupin e së bijës të mëbshtjellë me një çarçaf çka të bën të mendosh që autori i krimit e ka vrarë, e ka mbështjellë me çarçaf dhe e ka zhvendosur në oborrin e shtëpisë, në afërsi të gropës septike./tvklan.al