Në pranga drejtori i komanduar Kamber Hoxha dhe shefi i Policisë në këtë institucion
12 efektivë të burgut të sigurisë së lartë në Peqin janë vënë në pranga, pas ekzekutimit brënda në qeli të Arben Lleshit nga Sokol Mjacaj. Në pranga kanë rënë drejtuesi i komanduar i burgut Kamber Hoxha, Qani Muça me detyrë shef i Policisë së burgun e Peqin dhe ish-shefi i Policisë në këtë institucion Nikolin Gjonpalaj. Së bashku më ta janë arrestuar edhe 9 punonjës policë të burgut që kanë qenë në detyre të premten kur ndodhi ngjarja. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”.
Prokuroria e Elbasanit bën me dije se nga veprimet e para hetimore rezulton që arma e krimit, është futur brenda burgut 20 ditë para ngjarjes. Gjithashtu kjo armë dyshohet të jetë mbajtur prej tij dhe në ambjentet e përbashkëta në këtë burg siç është ajrimi apo rregjimi brendshëm.
Grupi hetimor ka dyshime se policët e burgjeve nuk kanë kryer kontrollin fizik, që konsiston dalja e të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes si dhe në ditët e mëparshme. Prokuroria bën me dije se gjatë transferimit nga ambjentet e godinës të emërtuar si 41 biz ku ka qenë i akomoduar Sokol Mjacaj më herët, për në godinën B të sigurisë së lartë rezulton se nuk është kryer procedura standarte e kontrrollit fizik dhe të sendeve personale siç parashikon skema e sigurisë. Policia e burgjeve po ashtu nuk ka njoftuar në sallën operative të DVP Elbasan apo Komisariatin e Policisë Peqin, ngjarjen e ndodhur në orën 13:52.
Sokol Mjacaj ka deklaruar se armën e kishte siguruar dorazi. Dyshimet janë se Mjacaj ka patur bashkëpunëtorë për ta futur armën në burg, pasi nuk rezulton që pistoleta me mulli të jetë dërguar me dron, siç u dyshua në momentet e para të ngjarjes. Po ashtu para Prokurorëve Mjacaj është shprehur se e ka vrarë Lleshin sepse kishte një sherr me të, pasi nuk e ka pranuar në sektor. Por sipas të njëjtave burime, kjo alibi e tij rrëzohet nga prokuroria pasi ka dyshime për vrasje të organizuar kundrejt pagesës.
Sokol Mjacaj ka qëllur 5 herë në drejtim të Arben Lleshit. 3 plumba kanë prekur viktimën duke i marrë jetën. Sipas burimeve Mjacaj i ka thirrur në emër që të dilte në dritaren e qelisë para se ta vriste. Nga të shtënat me armë mbeti i plagosur aksidentalisht në këmbë edhe Indrit Shaqja, i cili ndodhet në spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën.
Të arrestuar:
Kamber Hoxha me detyrë Drejtor i IEVP Peqin
Qani Muça me detyrë shef i Policisë së IEVP Peqin
Nikolin Gjonpalaj ish-shef i Policisë së IEVP Peqin
Vilson Shima me detyrë shef regjimi në IEVP Peqin
Arben Dulellari specialist i informacionit në sallën operative të IEVP Peqin
Ilir Balla, polic shërbimi i IEVP Peqin
Florenc Mile polic shërbimi i IEVP Peqin
Fatos Pire, polic shërbimi i IEVP Peqin
Genci Muça punonjës policie i IEVP Peqin
Klement Haka punonjës policie i IEVP Peqin
Erjon Çela punonjës policie i IEVP Peqin
Indrit Dubali punonjës policie i IEVP Peqin
Klan News