Selman Aliaj, 28-vjeçari i cili mbrëmjen e së premtes vrau babain e tij, kishte vendosur datën e dasmës dhe do të martohej në Janar.

I riu, i cili jetonte bashkë me babain 74-vjeçar Fejzi Aliaj, do të martohej me Manushaqen më datë 14-të dhe duket se babai i tij ishte mjaft i lumtur për këtë gëzim në familjen Aliaj, aq sa e kishte bërë publik këtë lajm edhe në rrjetet sociale.

Në një postim, 74-vjeçari Aliaj shkruante:

“Për të gjithë farë e fisin tim ju kujtoj se më datën (- 14- ) janar viti (- 2018-) kemi dasmë. Martoj djalin Selmanin me Manushaqen. Tiranë ora (-10 -) paradite. Jeni shumë të mirëpritur në gëzimin tonë, mirëardhshi, ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen në gëzimin tonë. Rrespekte, Fejzi Aliaj”.

Fejzi Aliaj mësohet se ishte baba i 4 fëmijëve dhe ishte ndarë nga bashkëshortja rreth 8 vite më parë.

Shtëpia e familjes Aliaj në Shkozë, ku ndodhi krimi 

Trupi i tij i pajetë u gjet mëngjesin e kësaj të diele në ujërat e liqenit të Farkës. Ai u vra nga i biri rreth orës 20:00 të së premtes, pas një konflikti që kishte ndodhur mes tyre në shtëpinë ku jetonin, në Shkozë.

Pasi e goditi të atin me çekiç në kokë derisa i mori jetën, Selman Aliaj e mori trupin e pajetë dhe e hodhi në liqen.

Mbeten ende të paqarta shkaqet e kësaj vrasjeje. 28-vjeçari Aliaj është arrestuar nga policia dhe pritet që nga dëshmia e tij të zbulohen edhe shkaqet e këtij krimi.

/tvklan.al