Policia e Tiranës ka shpallur zyrtarisht në kërkim Domart Konjarin si i dyshuari kryesor për vrasjen e Devi (Dëfrim) Kasmi.

Sipas burimeve policore, Konjari mund të ketë qenë në njërin prej tre roleve; si ekzekutor i drejtpërdrejtë, si pjesëmarrës apo bashkëpunëtor në vrasje, ose si porositës i ekzekutimit (

vrasje me pagesë)

.

Dyshimet e policisë bazohen mbi faktin se Domart Konjari ishte një nga rivalët dhe kundërshtarët kryesorë të Devi Kasmit në fushën e trafikimit të kokainës në Spanjë dhe në Francë. Dyshohet se viktima Devi Kasmi kishte tentuar të vriste më parë në Spanjë Domart Konjarin, duke e lënë të plagosur.

Konjari është emër i njohur për autoritetet shqiptare. Në Mars të vitit 2016, Domart Konjari u lirua nga burgu, pasi ishte arrestuar në Nëntor 2015 teksa tentonte të kalonte drejt Greqisë me pasaportë false. Domart Konjari rezulton se është në kërkim ndërkombëtar nga Franca, për shkak është se dënuar me 10 vite burgim në këtë shtet për trafik kokainë. 

Precedentët e Domart Konjarit

Domart Konjari i dënuar në Francë me 10 vjet burg për trafik droge. Konjari u lirua më 14 Mars 2016 nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Avokati i tij në atë kohë tha se Konjari u lirua për shkak se prokuroria kishte shkelur afatet e hetimit. Lirimi i tij solli një reagim të ashpër të Ambasadës Franceze në Tiranë. Ambasadori Bernard Fitousi i dërgoi një letër Prokurorit të Përgjithshëm, Kryeministrit, Ministrit të Drejtësisë dhe atij të Jashtëm, ku shprehte shqetësimin për një vendim të tillë. Domart Konjari u arrestua në Kapshticë Nëntorin e 2015, duke u larguar për në Greqi, 5 ditë pasi ishte pajisur me një pasaportë të rregullt, që mbante foton e tij, por me të dhënat e shtetasit Arben Lazri.

Saga e vrasjeve

Më 28 Gushtit të vitit 1998 është ekzekutuar Gentian Dervishi i njohur me nofkën “Gent Kadaifi” pranë “Shkollës së Kuqe”. Pas disa vitesh emri i Konjarit përmendet për vrasjen e ndodhur në vitin 2003 në qytetin Renne të Francës, ku u vra Erhon Murati për një mosmarrëveshje për trafikun e drogës. Në 3 Gusht 2005 në kryeqytet, u ekzekutua Fatjon Naxhaku. Vrasja e tij ndodhi vetëm pak ditë pasi ishte kthyer në Shqipëri, pasi ishte arratisur nga burgu në Spanjë. Sipas hetimeve franceze, thuhet se vrasja është kryer nga Konjari në shenjë vetëmbrojtjeje. Por ende kjo vrasje në Shqipëri është pa autor. Gjithashtu Konjari dyshohet se është i përfshirë edhe në vrasjen me 16 plumba të francezit Gilbert Slik në vitin 2007 në Marsejë.

Në Qershor të 2010-s Domart Konjari i shpëtoi një atentati në Madrid, ku mbetet i vrarë shoferi i tij. Vetëm një muaj pas këtij atentati të dështuar ndaj Konjarit, vritet në dalje të burgut në Aliacante të Spanjës francezi Alain Coelier, i njohur si Alani i vogël. Në Korrik të 2010 një nga njerëzit më të afërt të Domart Konjarit u ekzekutua në makinën e tij. Dyshimet për këtë vrasje, sipas autoriteteve franceze, janë mosmarrëveshjet e bandave rivale për dërgimin e kokainës në Spanjë. Por gjithashtu emri i Konjarit në dosjen franceze është i përmendur dhe me ekzekutimin e Gentian Gashit në Nëntor të 2011 në Durrës. Më 14 Korrik 2013, në Tiranë është ekzekutuar me armë Edmond Dervishi dhe dosja e vrasjeve, ku përfshihet si i dyshuar Domart Konjari, mbyllet me atentatin e djeshëm ndaj Devi alias Dëfrim Kasmi.

/tvklan.al