Dëshmi kontradiktore të Mexhit Picarit dhe vajzës së tij

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar lënien në burg të 53-vjeçarit Mexhit Picari dhe vajzës së tij Dhurata Saliaj 32 vjeç që akuzohen për vrasjen e Kudret Saliajt dhe plagosjen e avokatit të tij Adriatik Cama. Burime nga grupi hetimor thanë se babë e bijë kanë dhënë dëshmi kontradiktore dhe se dyshohet se ata kanë bashkëpunuar në kryerjen e krimit.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në zonën pranë Gjykatës së Tiranës ku ndodhi krimi është vënë re se Mexhit Picari dhe vajza e tij kanë vëzhguar për rreth 30 minuta lëvizjet e viktimës. Kjo është ndryshe nga versioni që 53-vjeçari ka deklaruar në polici se përballja në lokal ka qenë e rastësishme. Babai ka thënë se ka qenë i ulur i vetëm në një prej tavolinave të lokalit përkundër nga deklarimet e Dhuratës, e cila ka thënë se ka qenë me të atin në tavolinë. Autori i krimit u tha hetuesve se viktima e kishte fyer dhe se ai e kishte qëlluar me një armë që mbante me vete.

Kam nxjerrë armën, të cilën e kisha pa karikator. Kam vendosur karikatorin, e kam mbushur dhe më pas kam qëlluar në drejtim të dhëndrit”, ka thënë 53-vjeçari. Por hetuesit janë duke verifikuar nëse ka pasur një konflikt përpara se të përdoreshin armët.

Viktima Kudret Saliaj ka qenë i shoqëruar edhe me avokatin e tij Adriatik Cama që mbeti i plagosur dhe pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikalë në spitalin e traumës. Çifti Saliaj ndodhej në proces divorci dhe konfliktet kanë qenë mjaft të forta mes palëve. Palët akuzojnë njëra tjetrën për dhunë. Seanca për masën e sigurisë ndaj Mexhit Picarit dhe Dhurata Saliajt pritet të mbahet ditën e hënë në Gjykatën Penale të Tiranës.

Tv Klan