Një person mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të diele në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:15, në fshatin Grudë e Re, në rrethana ende për t’u sqaruar. Viktimë e breshërive të plumbave mbeti 47-vjeçari Prek Tonaj, baba i 4 fëmijëve. Ai mësohet se ishte punonjës i Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër.

Autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë nuk dihen ende. Policia tha se po punonte për identifikimin dhe kapjen e tyre.

“Më datë 13.02.2022, rreth orës  19:15, në fshatin Grudë e Re, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, në ambientet e një lokali, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. T., 47 vjeç, banues në Grudë, Shkodër. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës, për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve”, tha policia në njoftimin paraprak për mediat.

Sa i përket shkaqeve, një ndër pistat kryesore është ajo e hakmarrjes. Gazetarja Emi Kalaja, raporton se Prek Tonajt disa vite më parë i kanë vrarë dy vëllezërit, një prej tyre ndërkohë që ndodhej në burg. Pikërisht humbja e tyre dyshohet se u bë shkak që në 26 gusht 2011, Prek Tonaj të arrestohej së bashku me të atin dhe një tjetër person, pasi policia dyshonte se po planifikonin të kryenin një vrasje për hakmarrje.

Megjithatë, ashtu siç raporton edhe vetë gazetarja, nuk përjashtohen edhe pistat e tjera për vrasjen e 47-vjeçarit. /tvklan.al