Vrasje thuajse çdo ditë në Shqipëri

Vrasje thuajse çdo ditë në Shqipëri

15:46 11/01/2020

Policia merret me masazhet erotike të “Zogut të Tiranës”

Katër vrasje, dy prej tyre atentate. Ky është bilanci situatës kriminale vetëm në këto 11 ditët e para të këtij viti që kanë tronditur opinionin publik. Numri i viktimave shkon mbi 10, pasi aksidentet rrugore me pasojë vdekjen, kanë qenë pothuajse të përditshme.

Që në ditët e para të Janarit, vendi është goditur nga dy atentate mafioze që janë kambanë alarmi për policinë. E para ishte vrasja e biznesmenit, Guxim Gjyriqi, përpara lokalit të tij, në Bajram Curri dhe më pas atentati me snajper ndaj Kastriot Reçit, në qendër të Rrëshenit.

Në të dyja ngjarjet autorët nuk janë identifikuar. Tronditëse ishte edhe historia e 50-vjeçares në një fshat të Mallakasatrës, e cila u grabit, u lidh dhe u mbyt në një rezervuar në mënyrë makabre.

Një tjetër nëne të re iu mor jeta me shkop druri në Paskuqan. Edhe pse viktima e kishte denoncuar përndjekjen e autorit, kjo vrasje makabare nuk u parandalua.

Por lajmet e kronikës së zezë janë ushqyer këto ditë edhe me sagën e përgjimeve të Hermes Nikajt i njohur ndryshe “Zogut të Tiranës”. Nga to vihet re se Policia Kriminale ka shpenzuar mbi 6 muaj kohë për ta mbajtur në përgjim dhe vëzhgim “Zogun e Tiranës” nëpër qendra estetike.

Por edhe pse vendi është tronditur nga vrasjet mafioze, Policia Kriminale tregon se është e angazhuar fuqimisht vetëm në goditjen e prostitucionit në qendrat e masazheve.

Mbase para se të arrestojnë, i provojnë vetë masazhet erotike në funksion të mbledhjes së provave, e sigurisht, është më zbavitëse të mbledhësh prova seksi sesa prova kriminelësh e vrasësish.

Duket se pasioni më i madh për Policinë Kriminale është ta kalojë kohën nëpër qendrat estetike, se të vihet në ndjekje të vrasësve. “Zogu i Tiranës”, që ka mbushur edhe mediat, duket se është historia e suksesit të policisë sonë.

Në botë, suksesi i një policie matet sa me parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale aq edhe me arrestimin e autorëve të tyre. Ndërsa policisë sonë i ka mbetur “Zogu” në dorë për ta treguar si njësi matëse të punës së saj.

Tv Klan




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi