Qendra e qytetit të Elbasanit në vitin 2005 pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme, u kthye në një shesh arene dhe përplasje tragjike.

Fadil Mema, ish-shef i qarkullimit rrugor, vendosi të kandidonte për deputet në zonën 54 nën siglën e partisë Aleanca Demokratike. Përballë në këtë zonë kishte dy kandidatët e tjerë, Qazim Sejdinin nga Partia Socialiste dhe Aurel Bylykbbashi nga Partia Demokratike, zgjedhje të cilat u fituan nga Bylykbashi me 120 vota diferencë më shumë se Sejdini.

Kandidimi i Memës ishte vendimtar për diferencën e votave. Mema vendosi të shkëputej nga policia në vitin 2004 pas përplasjeve me ish-drejtorin e Policisë së Qarkut Kukës me iniciale A.C., dhe u përkushtua në aktivitetin privat ku hapi një autoshkollë.

Po në vitin 2004, pasi kishte dalë nga burgu në Holandë ku kishte vuajtur dënimin për trafik droge, rikthehet Dritan Sheme, një personazh i njohur në qytetin e Elbasanit nga të parët të rinj të brezit të tij që kishte emigruar.

Sokol Çapja 33 vjeç ishte në atë kohë pronari i kompleksit Univers dhe njeriu më influent në familjen e tij dhe bizneset e tyre.

Në fillim të vitit 2005, Paolo Mazzuco, pronari italian i një firme makinetash të lojrave të fatit, pas shumë vitesh aktivitet në Elbasan por jo vetëm, vendos të shkëputet nga Shqipëria.

Shkëputja e tij nga vendi ynë u bë indicia kryesore e një kalvari ngjarjesh që tronditën Shqipërinë dhe Italinë në 10 vitet që pasuan.

Krushqia e ndërtuar prej shumë vitesh dhe marrëdhëniet e mira mes familjeve Çapja – Mema u prishën tragjikisht në mesin e vitit 2005. Përplasje që solli 10 viktima dhe disa të plagosur.

Historia e përplasjeve dhe vrasjeve të dy grupeve në Elbasan në periudhë 2005- 2015:

17 Gusht 2005 – Vritet në Elbasan Rezart Çelaj 27 vjeç. Ngjarja ndodhi në mbrëmje pranë degës së tatim-taksave.

26 Dhjetor 2005 – Vritet Sokol Çapja 33 vjeç në lokal ‘Acquario’ në Elbasan. Si autorë të vrasjes u arrestuan Dritan Sheme, Gentian Beqiri dhe Armand Hasani.

30 Janar 2006 – Plagoset ish-shef i qarkullimit rrugor Fadil Mema.

29 Maj 2006 – Vritet Ardian Ibrahimi 35 vjeç, kunati i Fadil Memës, dëshmitari okular i atentatit ndaj kunatit të tij.

18 Gusht 2006 – Ndalohen në Fier nga policia Ardian, Fejzi, Enver e Agron Çapja, si dhe Behar Shehu (kunati i tyre), Dritan Hatija dhe Sajmir Baku. Në mjete u gjetën të fshehura pistoleta dhe automatikë. Vetëm Ardian Çapia u dënua me 6 muaj burg. Dyshohen se personat ishin nisur për të vrarë Dritan Shemen pas sinjalizimit se qëndronte në një hotel në Sarandë.

19 Tetor 2006 – Vritet Dritan Sheme 32 vjeç, në lagjen “Don Bosko” në Tiranë.

2 Maj 2009 – I bëhet atentat Fadil Memës në Torino, Itali. Arrin t’u mbijetojë plagëve.

22 Korrik 2009 – Vritet Roland Rexhepi, ish-agjent i antidrogës i njohur me pseudonimin “Doda”, kunati i motrës së Dritan Shemes.

30 Dhjetor 2011 – Vritet Ilir Rexhepi 40 vjeç, në lagjen “Vullnetari” në Elbasan. Ai është vëllai i Roland Rexhepit.

15 Gusht 2012 – Vritet Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babai).

13 Mars 2015 – Vritet në Torino ish-shefi i qarkullimit rrugor Fadil Mema.

11 Prill 2016 – Vritet Saimir Beqiri, vëllai i Gentian Beqirit.

21 Qershor 2017 – Kryhet atentat ndaj vëllezërve të Gentian dhe Saimir Beiqir. Arben dhe Gëzim Beqiri arrijnë t’i shpëtojnë atentatit në biznesin e tyre në lagjen “Shënkoll”.

Klan Plus