Dy burgime të përjetshme dhe 131 vjet burgim ka kërkuar prokuroria për 10 të akuzuar, se kanë pasur role të ndryshme në një grup të strukturuar kriminal, i cili kryente vrasje me pagesë.

Ky grup drejtohej nga Admir Tafilaj, i cili i jepte urdhëra anëtarëve të tjerë nga burgu, ku po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasje.

Prokuroria për Tafilajn kërkoi burgim të përjetshëm. I njëjti dënim u kërkua dhe për Kristi Pinen, por duke qenë se ai kishte statusin e bashkëpunëtorit, në këtë dosje u kërkua dënimi me 10 vite burg.

Me nga 35 vite burg u kërkua dënimi për Dritan Peksanin dhe Elson Merdanin, të cilët akuzohen për vrasje me paramendim. 27 vite heqje lirie për Alfred Qefalinë, i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë. Për Klajdi Shermadhin u kërkuan 21 vite burg.

Me 13 vite burg në total u kërkuan dhe 4 të pandehurit e tjerë Aleksandër Gora, Fatos Koka, Albano Beqiraj dhe Dhimitër Zota. Mbi ta rëndojë akuzat e sigurimit të kushteve për kryerje të vrasjes dhe moskallëzim krimi.

Ky grup akuzohet se ka vrarë Ibrahim Manin, në 25 Qershor 2014 në Shkodër. Në tentativë ka mbetur vrasja e Edmond Çakmashit në 5 Nëntor 2013.  

Janë të këta persona që kishin planifikuar vrasjen e Leonard Murataj në Durrës, por nuk kanë mundur ta kryejnë, pasi ai u vra më parë nga persona të tjerë në 19 Nëntor 2014. Në Dhjetor 2014 kanë organizuar vrasjen e shtetasit Majlind Lila.

Tv Klan