Në pranga vetëm personat që ndihmuan, jo ekzekutorët

Dy vrasjet mafioze, ajo e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në Elbasan, ishin pasojë e përplasjeve të vjetra mes grupeve kriminale në këtë zonë.

Policia dyshon se ekzekutimet janë porositur nga i njëjti grup kriminal dhe që dyshohen për hakmarrje, për shkak të konflikteve të vjetra.

Nga hetimet e deritanishme janë arrestuar vetëm personat që kanë ndihmuar në vrasje dhe jo ata që kanë dhënë urdhërin, apo ekzekutorët e Emiljano Ramazanit.

Grupi hetimor kishte shpresë se Xhuljo Hoxha dhe Euglen Halili do të rrëfeheshin për të dyja vrasjet, por ata kanë kyçur gojën, duke mos treguar për personat që urdhëruan ekzekutimet, apo ata që bashkëpunuan.

Dy të rinjtë nuk kanë pranuar akuzat dhe kanë heshtur për bashkëpunëtorë të tyre në këto ngjarje kriminale.

Edhe babë e bir, Albert e Seit Manahasa, ku u gjet pistoleta me të cilën u vra Emiljano Ramazanit, nuk kanë dhënë asnjë detaj për ngjarjen.

Hetuesit dyshojnë se 4 personat e arrestuar për 2 vrasjet në Elbasan, nuk kanë pranuar të flasin nga frika e hakmarrjes.

Për personat që kanë dhënë urdhërin për vrasjet, nuk janë zbuluar prova, pavarësisht se ka dyshime për një grup që vepron mes Elbasanit dhe Peqinit.

Emiljano Ramazani u vra më 20 korrik poshtë banesës së tij, ndërsa shoku i tij Regis Runaj, 10 ditë më pas. Dy ekzkeutimet dyshohet se kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Tv Klan