Shtetet e Bashkuara kanë kaluar një tjetër natë aspak të qetë, mes të shtunës dhe të dielës. Në të gjithë vendin janë zhvilluar protesta herë – herë të dhunshme , arrestime pas vrasjes së tre afro amerikanëve nga policia, gjatë ditëve të fundit. Mbi 100 protestues u vunë në pranga nga forcat e rendit.

Qindra mbështetës të lëvizjes “Black Lives Matter” “Jeta e njerëzve me ngjyrë vlen” u përleshën me policinë në Baton Rouge, aty ku të mërkurën policia vrau 37-vjeçarin Alton Sterling. Në pranga ranë të paktën mbi 30 persona, mes të cilëve edhe disa organizatorë të protestës.

Përplasje të ashpra pati edhe në Sant Pol, aty ku u shënua vrasja e dytë e këtyre ditëve, ajo e Filando Kastiles, i cili u qëllua nga një polic në automjetin e tij dhe skena u xhirua nga e dashura.

Në Nju Jork, dhjetëra aktivistë bllokuan urën e Bruklinit. Në lindje të qytetit u vra edhe afroamerikani i tretë Delroun Smoll, vrasja e të cilit nga një polic jashtë orarit të punës, u xhirua nga kamerat e sigurisë pranë vendngjarjes.

Ndërsa në Dallas njerëz të shumtë bënë homazhe para memorialit për 5 policët e ekzekutuar me snajper si hakmerrje për vrasjen e afroamerikanëve nga forcat e rendit.

Nga Varshava ku merr pjesë në samitin e NATO-s, presidenti amerikan Barak Obama u përpoq të ulët tensionet e krijuara nga këto ngjarje. Ai tha se Amerika nuk është e ndarë pavarësisht manifestimeve vrasjeve të policëve në detyrë dhe pjesëtarëve të komunitetit me ngjyrë.

Sipas tij, përgjegjësia për këtë situatë, bie mbi ligjin e armëve që i jep mundësinë popullsisë së thjeshtë të mbajnë armë të rënda e të rrezikshme.

Tv Klan