Gjykata ka dënuar me 23 vite burg bashkëpunëtorin Ronald Muzhaqi

Gjykata penale ka dënuar me burgim të përjetshëm Robert Përpepajn, i cili ekzekutoi me dy plumba 17-vjeçaren Griselda Gjikola, mbrëmjen e 28 Dhjetorit të 2018.

Ndërsa bashkëpunëtori i tij Ronald Muzhaqi është dënuar më 23 vite heqje lirie. Përpepaj u dënua në mungesë dhe është i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai e përndiqte të renë prej kohësh duke ju kthyer asaj në një shqetësim serioz, sa i mori edhe jetën.  Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Laprakës. Mbrëmjen kur humbi jetën Griselda së bashku me një shoqe, të fejuarin dhe mikun e tij Erion Benga ishin duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës.

Referuar dosjes së prokuroisë, rreth orës 18:00 ata kanë dalë nga bar kafeja dhe kanë hipur në makinë për t’u larguar, por papritur  dy persona i prenë rrugën dhe nisën të godasin automjetin. Erion Benga që drejtonte automjetin ka tentuar të largohet me shpejtësi, por për fat të keq brenda pak sekondash, Përpepaj ka dalë në anën e majtë të makinës dhe ka qëlluar me dy plumba në kokë 17-vjeçaren Griselda Gjikolën, e cila ka ndërruar jetë pa vajtur në spitalin e traumës.

I plagosur në këtë ngjarje mbeti edhe Bengaj. Në vendin e ngjarjes u gjetën 4 gëzhoja plumbash.  Ndërsa i fejuari i 17-vjeçares dhe vajza tjetër që ishte në makinë fatmirësisht nuk u lënduan. 

Klan News