Një sherr me djalin e autorit. Është kjo zanafilla e konfliktit mes Mark Kodrës dhe Emiljan Ndout, që do të pasonte me vdekjen tragjike të këtij të fundit.  Bashkëshortja e autorit 47-vjeçar, Bukuroshe Kodra, ka deklaruar para mediave se fillimisht, viktima është zënë me një nga djemtë e çiftit. Ajo u shpreh se Ndou ka sharë dhe më pas është konfliktuar fizikisht me djalin e çiftit Kodra. Kodra mohon që vrasja të ketë ndodhur pasi viktima i ka ngacmuar vajzat.

“Konflikt me djalin është zënë. Konflikti me djalin ka ndodh se ka ecur me motor dhe i ka thënë më avash. Mbrëmë e ka zënë te një lokal dhe i ka thënë çfarë pate atë natë. Ky i ka thënë ka mbaruar, ai i ka thënë që për mua s’ka mbaruar dhe i ka thënë që të shtie në goma të motorit dhe i ka rënë ai. E ka sharë, i ka rënë. Erdhi në shtëpi dhe tha që më ka rënë, por u mbyll ajo punë për ne. Ky erdhi doli prapë dhe kur u kthyer burri mori automatikun dhe i ra. E ka dhënë edhe në televizor se ka pasur probleme me femrat, por nuk kemi pasur problem me të më. Nuk kemi pasur kurrgjë me të tjetër”.

Bukuroshe Kodra u shpreh se ngjarja ka ndodhur në orën 23:00 të natës. Ajo theksoi se është përpjekur që t’ia ndalë armën bashkëshortit, por ai ka vijuar derisa ka qëlluar mbi 25-vjeçarin.

“Ai ka dalë prej atje dhe ka ardhur e ka ndalur këtu. Ka ndalur shpejtësinë e motorit. Ka dalë burri me automatik dhe ia kam ndal armën për mos me i ra. Është larguar dhe i ka ra”, tha ajo.

Bukuroshe Kodra tregon se e ka parë bashkëshortin pas krimit dhe se ai nuk ka shfaqur shenja pendese. Sipas saj, viktima ishte problematik dhe ka qenë ai që ka nisur konfliktin. Autori është baba i 7 fëmijëve, ndërsa bashkëshortja e tij tha se nuk kanë pasur asnjë konflikt me familjen e viktimës.

Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnatës të premten. Emiljan Ndou u ekzekutua pasi u qëllua me kallashnikov n afërsi të një kalçetoje në fshatin Bardhaj. Pak pas ngjarjes u vu në pranga edhe autori i ekzekutimit, Mark Kodra./tvklan.al