Jorgo Leku ekzekutoi Gentian e Nezir Beqirin

Ky është 41-vjeçari Jorgo Leku i cili akuzohet se ka vrarë babë e bir në 15 gusht të 2012-ës në Elbasan dhe është arrestuar në Greqi, për llogari të drejtësisë shqiptare. I njohur edhe me emrat Olsi Leka, Giorgo Lekou dhe Jorgo Lekou, ai ka ekzekutuar Gentian Beqirin e paralizuar dhe që mbahej nën masën arrest shtëpie si dhe babain e tij Nezir Beqirin, brenda banesës së tyre në lagjen “Çlirimi”.

Jorgo Leka përdori një pistoletë me silenciator dhe u fut në banesën e familjes Beqiri duke u paraqitur si kushëriri i tyre, pasi shtëpia ruhej nga dy oficerë policie. 41-vjeçari cilësohet si një person me rrezikshmëri të lartë dhe është një ndër të dyshuarit që nisi 173 kilogramë kokainë nga Athina në Portin e Durrësit, por që ishte zëvendësuar me oriz.

Emrin e Jorgo Lekut, si ekzekutor të babë e bir, e nxori dëshmitari i penduar i drejtësisë, Ervis Bardhi. Sipas policisë vrasja e Gentian Beqirit ishte për hakmarrje. Gentian Beqiri ishte një ndër personat që vrau Sokol Çapjen në Elbasan dhe ngjarja u pa si shenjë hakmarrje. Dyshohet se Jorgo Leku u përdor si vrasës me pagesë ndërsa për këtë vrasje ka qenë i dyshuar dhe ndaluar edhe Florenc Çapja.

Dëshmitari i penduar Ervis Bardhi ka treguar edhe emrat e dy personave të tjerë me rrezikshmëri të lartë në Elbasan, të cilët dyshohet se porositën vrasjen e Gentian Beqirit, por që ende prokuroria nuk ka lëshuar urdhër arrestet. Interpoli ka kërkuar menjëherë ekstradimin nga Greqia të Jorgo Lekës në Shqipëri.  

Tv Klan