Etien Cani në kërkim për vrasjen e vitit 2012

Ekstradohet nga Italia 28-vjeçari Etien Cani, i shpallur në kërkim si një nga autorët e një vrasjeje të dyfishtë në 15 Gusht 2012 në Elbasan. Bëhet fjalë për ekzekutimin në banesën e tij të Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezir Beqiri. Kjo vrasje tronditi opinionin publik për shkak se Gentian Beqiri ishte i paralizuar dhe qëndronte në banesë nën masën e arrestit shtëpiak, i akuzuar për vrasjen e Sokol Çapjes, në 2005-n në këtë qytet.

Në tentativë për t’i ikur policisë ai ishte hedhur nga një mur i lartë duke pësuar dëmtime të shtyllës kurrizore dhe prej 6 vitesh qëndronte i paralizuar në banesën e tij. Beqiri ruhej nga efektivë të policisë, por autorët përdorën pikërisht Etien Canin për të hyrë brenda, pasi ai ishte shok fëmijërie me viktimën.

Sipas policisë së bashku me Canin ishte edhe Ervis Bardhi i arrestuar nga policia në Qershor të këtij viti. Beqiri u qëllua me 4 plumba me një arme me silenciator teksa flinte gjumë në shtratin e tij, ndërsa i ati u dhuna barbarisht nga autorët ndërsa ndërroi jetë edhe për shkak të një infarkti. Sipas policisë kjo vrasje ishte në vazhdimësinë e një hasmërie të gjatë mes dy fiseve në Elbasan dhe që ka shkaktuar në vite disa të vrarë.

Tv Klan