Një 15-vjeçar është vrarë me thikë mbrëmjen e së hënës në qytetin e Shkodrës. I riu i identifikuar si Emiljano Gjoni, humbi jetën në spitalin rajonal të qytetit si pasojë e plagëve të marra. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 në zonën e Fermentimit në lagjen “Skenderbeg”.

Policia e Shkodrës deklaron se 15-vjeçari Gjoni është goditur me thikë nga një bashkëmoshatar për motive të dobëta. Blutë e Shkodrës pas disa orësh kërkimesh, vendosën në pranga bashkëmoshatarin e viktimës së bashku me armën e ftohtë e cila dyshohet se u përdor në krim. 15 vjeçari i arrestuar sipas policisë ka marrë një plagë në sup, por pa rrezik për jetën.

15-vjeçari i cili mbeti viktime është gjetur nga një kalimtar i rastit, i cili ka qenë edhe personi që e ka dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Por fatkeqësisht ai nuk u mbijetoi dot plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës.

Dëshmia e të arrestuarit pritet të hedhë më shumë dritë për motive që i shtynë dy adoleshentët të përplaseshin mes tyre, sherr i cili rezultoi fatal për Emiljano Gjonin.

Klan News