Burri, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes shtatzënë dhe dy vajzave të tyre të vogla, pretendoi se ishte bashkëshortja ajo që i mbyti fëmijët, ndërsa ai e vrau për t’u hakmarrë.

Por policia nuk e besoi këtë histori, ndaj dhe Chritopher Watts, 33 vjeç, tanimë po përballet me 9 akuza, duke përfshirë 5 për vrasje.

Ai rrëfeu se i kërkoi bashkëshortes Shanann të ndaheshin dhe më pas kishte shkuar në katin e poshtëm të shtëpisë. Chritopher pretendoi se pa në monitorin e foshnjeve bashkëshorten duke vrarë njërën nga dy vajzat e tyre.

“Ai pa Bellan të shtrirë në krevat dhe Shanannin duke mbytur Celesten. Chris hyri i tërbuar  në dhomë dhe mbyti bashkëshorten. Ai tha se i ngarkoi të tre trupat në pjesën e pasme të kamionit të punës dhe i çoi ku punonte”, u zbulua nga dëshmia e 33-vjeçarit.

Pas dy ditësh investigim, policia zbuloi tradhëtinë e tij me një kolege pune, çka fillimisht e kishte mohuar.

Pretendimi i tij se ishte bashkëshortja ajo që i ka vrarë vajzat besohet se është edhe arsyeja që avokati i tij ka kërkuar të analizohet ADN-ja e gjetur në qafën e vajzave.

Në fakt policia është lajmëruar për zhdukjen e Shanann nga kolegia e saj, Nickole Atkinson. Christopher Watts është akuzuar zyrtarisht ditën e djeshme me 9 akuza, ku përfshihej edhe “përfundimi i paligjshëm i një shtatzënie”.

Ai do të dënohet për “tre vrasje të shkallës së parë”, “dy vrasje të shkallës së parë të fëmijëve nën moshën 12-vjeçare” dhe “fshehjen e tre trupave të vdekur”.

Avokati Michael Rourke tha se nuk kishte vendosur nëse do të kërkonte dënimin me vdekje për çështjen që tronditi të gjithë kombin.

Akuzat u vendozën një javë pasi Christopher kishte raportuar humbjen e bashkëshortes shtatzënë dhe dy vajzave të tyre, Bella 4 vjeç dhe Celeste 3 vjeç.

Ai doli në një televizion lokal ditën e hënë, duke u lutur për kthimin e tyre në shtëpi, edhe pse e dinte fare mirë që kishin vdekur. Po atë ditë 33-vjeçari u arrestua dhe u mbajt në një qeli larg të burgosurve të tjerë, për sigurinë e tij.

Ditën e mërkurë u gjet trupi i bashkëshortes në një gropë të cekët pranë kompanisë së naftës ku punonte 33-vjeçari, ndërsa trupat e vajzave u gjetën të zhytyra në fuçitë e naftës një ditë më vonë./tvklan.al