Avokati: Nuk është në gjendje të mirë mendore. Duhet të vlerësohet gjendja shëndetësore

Gjykata e Durrësit la në ‘arrest në burg’ Ilir Koçiljan i cili të mërkurën vrau me thikë fqinjin e tij Halil Koka. I pandehuri u shfaq në gjykatë i penduar, por në deklarimet e tij pati paqëndrueshmëri.

I pyetur nga togat e zeza, Koçilja tha se përndiqej nga mafia, ndërsa pretendoi se kishte humbur tendera publikë përballë personazheve të njohur të botës së krimit. Ndër të tjera 35-vjeçari pranoi autorësinë e krimit, por theksoi se viktima bashkë me disa shokë të tjerë e ndiqnin për ta rrahur.

“Më ndoqën 3 persona për të më rrahur, ne kemi patur konflikte të vazhdueshme. Me Halil Kokën ishim fqinj dhe nuk shkonim mirë me njëri-tjetrin prej kohësh. Ai e linte makinën tek hyrja e pallatit. Unë ia kam gërvishtur disa herë makinën me thikë dhe më ka kërcënuar se do më fuste në bagazh e do më vriste. Ai mbante pistoletë gjithë kohës, dhe më kërcënonte, edhe ditën që e vrava më kërcënoi.”

Avokati i 35-vjeçarit Koçilja tha para togave të zeza si klienti i tij ka probleme të shëndetit mendor dhe kërkoi një ekspertizë, që u pranua nga gjyqtarja Besjana Garxenaj. Kjo e fundit në përfundim të seancës, vendosi që autori të qëndrojë në ‘arrest në burg’ pa afat.

Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën në afërsi të zonës së quajtur ish-Danubi në lagjen numër 4 Durrës. 46-vjeçari Halili Koka u godit me thikë në zemër dhe humbi jetën gjatë dërgimit për në spitalin e qytetit.

Autori u kap nga policia pas disa orësh. Ai rezulton i dënuar edhe në vitin 2018 për përndjekjen e një gruaje dhe u dënua me 4 muaj e 20 dite burg. Ai jeton i vetëm në Durrës, pasi familjarët e tij ndodhen në emigracion.

Klan News