Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg Stjuart Smakajn të akuzuar për vrasje me dashje, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 17 Gushtit.

Nga të shtënat me breshëri arme mbeti i vrarë Gledis Kraja, shoku i autorit të ngjarjes. 23-vjeçari u vra gabimisht, pasi Smakaj ka treguar para hetuesve se donte të qëllonte ndaj Denis Halilit, person me të cilin ishte konfliktuar për parkimin e furgonit me mobilje.

Sipas Stjuart Smakaj, ai ka parë Denis Halilin të shkonte tek makina me mobilje dhe ka menduar se do merrte armë.

Në këtë moment edhe Smakaj ka shkuar për të marrë një automatik të modifikuar dhe ka qëlluar ndaj Denis Halilit.

Por, ai ka thënë se nuk e dinte që shoku i tij kishte shkuar pas Halilit për të mos e lejuar që të shkonte në makinë. Gjatë të shtënave, një plumb kapi në shpatull Gledis Krajën. Ky i fundit u transportua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë.

Stjuart Smakaj u vetëdorëzua në Policinë e Shkodrës dy ditë më parë, ndërsa në kërkim vijojnë të jenë vëllai dhe babai i tij, pasi dyshohet se kanë qenë të përfshirë në konflikt. /tvklan.al