Burgim të përjetshëm është vendimi që ka shqiptuar Gjykata e Apelit ndaj Pjetër Ndrecajt. 40-vjeçari vrau ish-bashkëshorten tropojane dhe vajzën 9-vjeçare me breshëri plumbash kallashnikovi natën e 7 Gushtit të vitit të kaluar, një ngjarje që shokoi opinionin publik.

Në Nëntor, Gjykata Themelore e Gjakovës e dënoi atë me 24 vite burg, pasi autori pranoi krimin dhe kërkoi gjykim të shkurtuar, duke përfituar ulje dënimi. Por për gjykatësit e Apelit, vendimi i shkallës më të ulët është i papranueshëm.

“Dënimit unik prej 24 viteve burgim nuk është adekuat me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit. Kjo për faktin se janë shkaktuar pasoja tepër të rënda të privimit nga jeta të bashkëshortes dhe vajzës së tij”.

Çifti ishte ndarë një muaj para krimit, me kërkesë të Valbona Ndrecajt, e cila ankohej se dhunohej sistematikisht prej bashkëshorti. Pak ditë para krimit, ajo kishte kërkuar edhe kujdestarinë e 4 fëmijëve, me argumentimin se Pjetri nuk e linte t’i takonte.

Tv Klan