Policia ka arrestuar Endrik Llukën, autorin e dyshuar të vrasjes së kushëririt të tij në Mars të vitit 2016 në Gjirokastër.

31-vjeçari u arrestua në banesën e babait të tij në fshatin Shtëpëz të qytetit të gurtë. Gjatë kontrollit në shtëpi, uniformat blu i gjetën një snajper, një pistoletë dhe disa municione. Aksioni për kapjen e të dyshuarit Endrik Lluka u krye nga RENEA dhe Policia e Gjirokastrës. Në pranga ra edhe i ati i Endrikut, Bexhet Lluka 57 vjeç, nën akuzën për armëmbajtje pa leje.

Prej 3 vitesh, i riu ka qenë në kërkim për vrasjen e kushëririt të tij Dorian Lluka dhe plagosjen e Bilbil Llukës. Endrik Lluka hapi zjarr ndaj dy vëllezërve në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë tek kthesa e fshatit “Andon Poçi”. Dorian Lluka humbi jetën menjëherë, ndërsa Bilbil Lluka u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në kryeqytet. Pas ndërhyrjes mjekësore, Bilbil Lluka mundi të shpëtonte.

Dyshohet se krimi ndodhi për një borxh që autori u kishte kushërinjve të tij, vëllezërve Lluka. Në atë kohë, u arrestua edhe një 23-vjeçar si person i dyshuar që i siguroi pistoletën Endrik Llukës për të qëlluar kushëririn.

Endrik Lluka është i dënuar me 35 vite burgim në mungesë për vrasje në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje./tvklan.al