Vladimir Kurti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Tiranës, i shpallur fajtor për grabitjen dhe vrasjen e pronarit të një marketi në zonën e Kamzës, ngjarje kjo e ndodhur në Prill të vitit 2018. Ndërkohë bashkëpunëtori i tij, Ruxhi Hoda u dënua me 26 vite burg.

Sipas prokurorisë së Tiranës, Vladimir Kurti ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të viktimës Agim Buci. Gjithashtu u plagos rëndë edhe bashkëshortja e tij, Rita Buci në tentativë për të larguar autorët e grabitjes. I pranishëm në biznesin e familjes Buci ishte edhe djali i mitur 6 vjeçar.

Pas ngjarjes autorët u larguan me vrap, ndërsa kanë marrë makinën duke u larguar në drejtim të Bovillës duke hedhur maskat. Vladimir Kurti është një person me precedent penal, pasi më parë është dënuar për vjedhje./ABC News Albania 24/7