Dishi “kyç” gojën përballë gjykatës

“Arrest me burg ka vendosur Gjykata e Tiranës për 29-vjeçarin Noel Dishi që akuzohet se vrau me armë zjarri shokun e tij Vilson Tafçiu mbrëmjen e së hënës në zonën e Astirit. Sipas hetuesve, krimi ka ndodhur për një konflikt të vjetër mes autorit dhe viktimës”.

Në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, Noel Dishi nuk pranoi të flasë përballë togave të zeza, por gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke e lënë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Ndërsa përballë hetuesve, Dishi ka treguar se pak orë para se të ndodhte vrasja, gjendej në Prokurorinë e Durrësit ku është marrë në pyetje për një rrëmbim të ndodhur ndaj tij 2 vite e gjysmë më parë, por që më pas është lënë i lirë.

Pas dëshmisë është telefonuar nga shoku i tij Vilson Tafçiu dhe e kanë lënë të takohen në “Astir” për të sqaruar për një konflikt të nisur mes tyre në Francë.

Mes shokëve ka lindur një debat, ndërsa viktima e ka kërcënuar se do ta mbyllte në bagazh të makinës dhe do ia bënte me keq se ata që e rrëmbyen. Në këtë moment, Dishi e ka qëlluar me pistoletë duke lenë të vdekur në vend.

Gjatë marrjes në pyetje në polici pasi u dorëzua, i riu pranoi krimin duke shprehur pendesë.

Tv Klan