Në paraditen e 31 Dhjetorit të vitit 2020 në Melbourne të Australisë, Veton dhe Lindita Musai, 29 dhe 25 vjeçe, një çift bashkëshortësh të cilët ishin shqiptarë të Maqedonisë u qëlluan për vdekje përpara shtëpisë së tyre. Autor i ngjarjes së rëndë ishte babai i vajzës, i cili pasi qëlloi me armë çiftin, tentoi të vetëvritej.

Sipas mediave australiane, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:30 (me orën lokale) të së martës. Autori, 56-vjeçari Osman Shaptafaj, shkoi në shtëpinë e çiftit, që sapo kishte festuar përvjetorin e parë të martesës dhe qëlloi për vdekje të bijën 25-vjeçare, e cila humbi jetën në vendngjarje. Ndërsa bashkëshorti i saj 29-vjeçar u dërgua në gjendje kritike në spital, ku dhe ndërroi jetë.

Dëshmitarë thanë se e kishin parë autorin t’i vinte armën në kraharor dhëndrit të tij duke e qëlluar për vdekje. Më pas ai e kishte kthyer armën nga vetja. 55-vjeçari, i cili jetonte në Altona North, u dërgua në spital si pasojë e plagëve, por arriti të mbijetonte.

Një i afërm i çiftit Musai nëpërmjet një postimi në Facebook konfirmoi se autori i dyshuar ishte babai i Linditës. “Sesi mundet një baba t’i marrë jetën të bijës është përtej logjikës. Sot humbëm kushëririn tim të vogël Veton Musai dhe gruan e tij engjëllore Lindita Musai. Nuk kam fjalë për të përshkruar atë çka ndjej”, shkruan i afërmi i çiftit.

Sipas mediave të huaja Lindita punonte në agjencinë e pronave të patundshme Colliers International, ndërsa Vetoni punonte në National Australia Bank.

56-vjeçari me origjinë shqiptare Osman Shaptafaj ditën e mërkurë është deklarua fajtor në Gjykatën e Lartë të Victorias për vrasjen e dy personave.

Daily Mail Australia zbuloi muajin e kaluar se Shaptafaj i kishte mohuar akuzat duke pretenduar se kishte probleme mendore. Psikiatri që kishte marrë përsipër këtë rast i hodhi poshtë pretendimet se vrasësi kishte probleme mendore. /tvklan.al