Shkencëtarët zbuluan se ajo mund të jetë 7 herë më e madhe dhe qëndron gjithë vitin

Mund të jetë krijuar një tjetër vrimë ozoni mbi ne, në zonën tropikale të Tokës. Duket se mund të jetë madje 7 herë më e madhe se ajo që njohim, që ndodhet mbi Antarktidë. Por ndryshe nga kjo e fundit ku shtresa e ozonit hollohet gjatë Pranverës, kjo e reja duket se është e pranishme gjithë vitin.

Është Universiteti i Waterloo në Kanada që ka kryer studime të cilat janë publikuar në revistën shkencore të Institutit amerikan të Fizikës, Aip Advances.

Sipas tyre, vrima tropikale e ozonit mund të jetë aty prej viteve ‘80 dhe nëse kjo konfirmohet do të përbënte shqetësim të madh në nivel global, për shumë arsye. Së pari, tropikët zënë një sipërfaqe shumë të madhe, me popullsi shumë të lartë.

Hollimi i shtresës së ozonit mund të sjellë pasoja të rënda, pasi mund të çojë në rritje të radiacionit ultraviolet, gjë që rrit rrezikun e sëmundjeve kancerogjene, dobëson sistemin imunitar, ul produktivitetin bujqësor e blegtoral dhe ndikon negativisht edhe në organizmat ujore dhe ekosistemet.

Klan News