Me New England Revolution deri në 2025

New England Revolution ka blerë sulmuesin Giacomo Vrioni nga Juventus. Futbollisti është afrimi i tretë i klubit nën atë që quhet rregulli Beckham, që do të thotë paga e tij do të jetë më e lartë se tavani i përcaktuar nga Liga Amerikane e Futbollit.

Kontrata e Vrionit do të jetë deri në 2025 me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Vrioni shkoi në skuadrën New England pasi shënoi 19 gola në Bundesligën austriake me klubin e Tirolit.

Trajneri i famshëm Bruce Arena që drejton skuadrën amerikane, vendosi ta afronte pasi kishte marrë rekomandime nga disa njohës të mirë të futbollit.  

“Jam shumë i emocionuar të nis këtë aventurë fantastike”, tha Vrioni në një postim në rrjetet sociale të klubit.

Vrioni do të ketë të drejtë të luajë për New England pasi të hapet merkato e verës në kampionatin amerikan më 7 Korrik si dhe të pajiset me dokumentacionin përkatës të punës.

Kampionati amerikan i futbollit është në javën e 19, pritet të mësohet se cila do të jetë ndeshja e debutuese për Vrionin.

Tv Klan