2 persona janë vrarë mbrëmjen e shkuar në Fier dhe Shkodër. Njëri në një atentat mafioz dhe tjetri gjatë një grindje banale. Biznesmeni fierak Ismet Saliko është ekzekutuar me një pistoletë me silenciator rreth orës 19 sapo ka dalë nga një lokal pranë selisë së Partisë Socialiste në qendër të Fierit.
Ai është qëlluar nga një distancë e afërt plot 5 herë teksa po hipte në makinë. Sipas policisë mbi të ka shtënë një person i vetëm. Në vendin e ngjarjes është gjetur arma e krimit, një pistoletë Zastava me silenciator, 5 gëzhojat e plumbave të qëlluar ndaj Salikos dhe një dorashkë që autori e ka përdorur për të mos lënë gjurmët e gishtave në armë, për hetuesit të gjitha këto detaje tregojnë për një vrasje të studiuar në detaje. Nuk përjashtohet mundësia që autori të ketë pasur bashkëpunëtorë të tjerë, ndërkohë që po hetohet edhe pista e vrasjes me pagesë.
Por pika më e errët e këtij krimi mbetet motivi, policia nuk ka ende asnjë pistë të qartë hetimore. Ismet Saliko, babai i 5 fëmijëve është një ndër biznesmenët më të njohur në fushën e ndërtimit në Fier, ai nuk rezulton të ketë pasur ndonjëherë precedent penal apo probleme me drejtësinë.
Që prej mbrëmjes së shkuar policia e Fierit ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ka ngritur postblloqe ndërsa janë marrë në pyetje disa persona të dyshuar se kanë lidhje apo dijeni për ngjarjen.
Ndërsa në Shkodër një sherr për motive banale mes 2 kushërinjsh i ka kushtuar jetën njërit prej tyre. Leonard Kodra 23 vjeç, është qëlluar me thikë në shtëpinë e tij nga djali i tezes, Besnik Frani. Krimi ka ndodhur pas një grindje të çastit, ndërsa policia ka vënë në pranga autorin./tvklan.al
Gazetar: Fatos Hakorja