Shpati Lena dhe Hakim Xhezo u qëlluan me breshëri

Dy të rinj të moshave 34 dhe 37-vjeçarë mbetën të vrarë paraditen e kësaj të enjte gjatë një atentati mafioz në Vlorë.

Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, të vrarë në atentat këtë të enjte u qëlluan me breshëri automatiku nga një makinë në lëvizje në dalje të fshatit Panaja, ku dyshohet se kanë qenë të paktën 3 autorë.

Policia beson se dy viktimat të cilët ishin duke lëvizur me këtë makinë tip “Benz” në aksin rrugor Fier-Vlorë, janë qëlluar fillimisht në krahun e shoferit dhe më pas në xhamin e parmë të mjetit.

Të shtënat kanë zgjatur disa metra dhe makina më pas ka përfunduar në kanal.

Autorët janë larguar për në aksin rrugor Levan – Tepelenë dhe në këtë rrugicë të fshatit Çerven, e mbuluar me bimësi dhe pa kamera të sigurisë, kanë djegur makinën tip “BMW” me targa të huaja dhe brenda saj edhe 3 automatikë, që dyshohet të jenë përdorur në ngjarje.

Për hetuesit ngjarja është e mirëmenduar, ndërkohë pista kryesore për motivet është duke u ndjekur ajo e hakmarrjes. Megjithatë burimet thonë se në këtë fazë do të verifikohen edhe konflikte të tjera të dy viktimave si dhe përfshirja në çështje të drogës.

Hakim Xhezo është vëllai i shtetasit Eduart Xhezo, i cili ndodhet në burg si autor i vrasjes së Arben Beqirajt në Vlorë në vitin 2019 pas një konflikti të nisur për një kalë.

Ndërkohë Shpati Lena ose i njohur edhe me emrin Geno, njihet si mik i ngushtë i Eduart Xhezos, i pranishëm edhe në ngjarjen e rëndë të regjistruar në 2019.

Tv Klan