Të shtënat automatike në një internet kafe në qytetin suedez të Malmos u kanë kushtuar jetën 3 personave.

“BBC” raporton se disa të tjerë u plagosën në qendër të qytetit, orët e vona të mbrëmjes së të hënës, kur të paktën një sulmues qëlloi me armë teksa viktimat po largoheshin nga kafeneja.

Policia tha se nuk kishte asnjë të dhënë që të bënte të dyshonte se sulmi mund të ketë qenë terrorist. Malmo, ka fituar reputacion kohët e fundit për krime të dhunshme.

Sulmi i të hënës, i cili ndodhi pranë një stacioni policie, lidhet me grupe të krimit të organizuar.

Dëshmitarët thanë se kishin dëgjuar rreth 15 të shtëna nga një armë automatike. Autori i krimit besohet se ia ka mbathur nga vendi i ngjarjes.

Viktimat ishin të moshave 19, 27 dhe 29 vjeçare. Të paktën njëri prej tyre është person i njohur për policinë suedeze./tvklan.al