Lufta mes bandave kriminale në Shkodër ka shënuar dy viktimat e radhës. Mëngjesin e kësaj të shtune, qyteti verior u trondit nga një atentat mafioz ku u ekzekutuan dy vëllezërit Astrit e Brahim Bilali. Ngjarja ndodhi në lagjen Kiras, e cila është një nga zonat më problematike të Shkodrës.

Dy vëllezërit u qëlluan me breshëri automatiku nga një automjet, duke mos i lënë mundësi viktimave të reagonin. Ata kanë mbetur të vdekur në vend, si pasojë e plumbave të marrë.

Autorët më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i krimit, ndërsa mjeti që u përdor në atentat u gjet i djegur në rrugicat e lagjes. Ekspertët e kanë këqyrur me shpresë që të gjejnë prova, pasi makina ishte djegur pjesërisht.

Qindra forca policie ndodhen në rrugët dhe lagjet e Shkodrës. Në ndihmë të policisë së lokale janë vënë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë është nisur një grup i posaçëm me ekspertë dhe drejtues të Policisë Kriminale dhe asaj të Rendit për t’ju bashkuar grupit hetimor me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarje.

Pista kryesore hetimore që ka grupi hetimor është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve rivale dhe pikërisht këtu është fokusuar puna e hetuesve.

Astrit Bilali është babai i Asmer Bilalit, ish-kampionit të boksit i arrestuar nga policia si pjesë e grupit Bajri. Ai ka qenë pronar i një resorti hipizmi në Shkodër. Ndërsa Brahim Bilali ka qenë kryetar i Shoqatës 2 Prilli 1992.

Tv Klan