Vritet 22-vjeçari shqiptar në Britani

Foto e viktimës Armend Xhika e publikuar në BBC


Vritet 22-vjeçari shqiptar në Britani

11:56 17/05/2021

Një i ri shqiptar ka ndërruar jetë në Britaninë e Madhe pas një sherri me thika në Sheffield. Viktima është Armend Xhika, 22 vjeç. I riu u dërgua në gjendje të rëndë në spital të enjten pas një sherri që ndodhi në rrugën Earl Marshal në Burngreave. Por 22-vjeçari nuk mundi t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë në spital.

Nën kujdesin e mjekëve është edhe një person tjetër rreth të 20-ave. BBC shkruan se në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar 5 persona të cilët janë liruar më pas. Hetuesit thanë se në fillim u dyshua një 30-vjeçar për vrasje, por ai është liruar ndërkohë që po vijojnë hetimet. Dy persona të tjerë u mbajtën në qeli nën dyshimet për vrasjet. Një person tjetër tek të 20-at u arrestua mbi dyshimet për plagosje me qëllim. Një vajzë, edhe kjo rreth të 20-ave, u arrestua mbi dyshimet për bashkëpunim në krim, por edhe ajo u lirua.

Përfaqësuesit e policisë kanë bërë thirrje që dëshmitarët e ngjarjes të kontaktojnë policinë. “Hetimi ynë po vazhdon dhe po punojmë që të mbledhim pjesët së bashku për të kuptuar çfarë ndodhi në ngjarjen që shkaktoi vdekjen e Xhikës”, tha Ian Scott, inspektor në polici. Ai i ka shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit.

Ngjarja e rëndë që i mori jetën 22-vjeçarit shqiptar ndodhi rreth orës 20:00 të së enjtes ku u raportua për një sherr mes disa personave, ku në fillim dyshohej për të plagosur. Personat e përfshirë në konflikt u larguan menjëherë pasi policia arriti në vendin e ngjarjes.

Pas kësaj ngjarje ka pasur një reagim edhe nga komuniteti shqiptar në Sheffield. Një prej tyre shprehu keqardhjen për këtë ngjarje të rëndë. “Do të na mungosh të gjithëve. U prehsh në paqe Armend”, shkruante një shqiptare në Facebook./tvklan.al







Të ngjashme