Një gazetare është vrarë gjatë trazirave të dhunshme në qytetin Londonderry të Irlandës së Veriut. BBC raporton se policia po e trajton këtë ngjarje si “incident terrorist”. Gazetarja Lyra McKee 29 vjeç dyshohet se u qëllua nga anëtarë të organizatës IRA.

Dhuna shpërtheu kur forcat policore ushtruan kontrolle në zonën e Creggan Derry mbrëmjen e së enjtes. Autoritetet dyshonin se anëtarët e IRA po planifikonin sulme në këtë qytet dhe bastisjet po kryheshin për të gjetur armë që mendohet se do të përdoreshin për sulme gjatë fundjavës së Pashkës.

Një person i armatosur nisi të qëllonte me armë në drejtim të policisë kurse të tjerë hodhën bomba molotov. Gazetarja 29-vjeçare fillimisht mbeti e plagosur por ndërroi jetë në spital.  Një gazetar i cili ishte në vendngjarje, tregoi se autori qëllonte me breshëri arme në drejtim të automjeteve të policisë.

Në rrugë kishin dalë edhe banorë të tjerë për të parë se çfarë po ndodhte. Zv/kryetarja e partisë “Sinn Féin” në Irlandën e Veriut, Michelle O’Neill, tha se është e tronditur nga kjo ngjarje tragjike.

“Dënoj përgjegjësit për vrasjen e kësaj vajze të re”,

u shpreh ajo. Autoritetet irlandeze janë duke punuar për të arrestuar personin që qëlloi me armë, ku për pasojë humbi jetën gazetarja 29-vjeçare.

/tvklan.al