Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Është vrarë dje pasdite në hotel “Inter Continental” në Beograd, Arkani, njeriu i djathtë i Sllopodan Millosheviçit, njeriu i akuzuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte në Kroaci e Bosnje, por i njohur edhe për terrorin e tij në Kosovë.

Zeljko Raznatovic i njohur me emrin Arkan është qëlluar dje me armë ne hollin e hotel “Inter Continental” të Beogradit. Me një breshëri plumbash Arkani është qëlluar në syrin e majtë dhe menjëherë është nisur për në spital, por vetëm pak sekonda pas goditjes ai ka vdekur.

Sipas një prej truprojave të tij, Arkani i veshur me anti-plumb është qëlluar 3 herë në kokë, nga një njeri i armatosur dhe i maskuar, i cili nuk është kapur dhe as identifikuar ende nga policia serbe.

Veç Arkanit kanë mbetur të vdekur dy burra dhe ka mbetur e plagosur një femër, si dhe një prej truprojave të tij. Arkani 47-vjeç ka udhëhequr njësitë paraushtarake të quajtur “Tigrat e zinj”, të cilat kanë marrë pjesë si në luftën e Kroacisë, Bosnjes dhe të Kosovës. Mbi këto njësi të udhëhequra nga Arkani rëndojnë krime të rënda lufte, masakra, djegie, vrasje e përdhunime.

Në vitin 1997 ai u padit nga gjykata e Hagës për krime kundër njerëzimit dhe kërkohej nga kjo gjykatë për t’u ulur në bankën e të akuzuarve. Gjithashtu ai kërkohej edhe nga Interpoli për një sërë grabitjesh bankash ne vendet e Europës Perëndimore.  

Njëri prej versioneve kryesore është që të jetë zhdukur nga vetë njerëzit e Millosheviçit, pasi Arkan si një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij, ishte njeriu që dinte shumë fakte dhe të vërteta kompromentuese për Sllobodanin. Por nuk mohohet që Arkani të jetë viktimë e bëmave të tij, apo shërbimeve sekrete të interesuara për eliminimin e tij.

Komentet ndërkombëtare kanë deklaruar sot, se nuk jemi të kënaqur për vdekjen e tij, pasi dëshironim që atij t’i bëhej gjyqi ndërkombëtar, si kriminel lufte.

Ndërkohë burime të ndryshme bëjnë të ditur se vdekjen e Arkanit e kanë festuar qindra shqiptarë të Kosovës./tvklan.al