Vrasja në sy të gruas, dyshohet për konflikte pronësie

50-vjeçari Ahmet Toska sapo doli nga banesa me bashkëshorten në lagjen “Sheq i Madh” në Fier, për të shkuar në punë, kur u qëllua 3 herë nga një person i maskuar.

Policia dyshon se autori e kishte vëzhguar prej ditësh Ahmet Toskën para se ta vriste, pasi njihte shumë mirë itinerarin dhe kohen e levizjes se 50-vjeçarit.

Ai po e priste 50-vjeçarin në rrugë dhe e qëlloi atë me tre plumba në prani të bashkëshortes.

Dëshmitarët tregojnë se më pas autori u largua në këmbë dhe për të marrë më pasë një makinë, ende të paidentifikuar nga policia.

“E shoqja që atje erdhi me vrap, si duket është ruajtur nga autori. Dhe kur e pa që ai ra përtokë u çua e shoqja edhe po bërtiste ma vranë ma vranë. Aty pastaj po mundohesha të hapja portën me vrap që të shikoja qe vrasje e vërtetë apo qenë shashka. Se nuk isha e bindur nëse ishte krismë arme apo ishte shashkë. Pastaj u bindëm. Tentova të vija ta ngrija atë, por nuk mundesha dot sepse dhe fëmijët dolën përjashta. U llahtarisën fëmijët sepse ishin në gjumë. Ishte mëngjes, ora 06:00, gjithë fëmijët ishin në gjumë, vetëm nga krisma që goditi 3 herë. Ata ishin pa makinë faktikisht. Nuk e pashë, por di që kaloi nga kjo rrugicë këtej autori. Ai shumë djalë i mirë, edhe e shoqja si familje ne që e kemi këtu, që ai e çonte të shoqen në punë nuk kemi dëgjuar sikur një diçka më të vogël”.

Burime nga Policia e Fierit thanë se po hetojnë vrasjen për ndonjë konflikt pronësie. Kjo pasi familjarët kanë folur në lidhje me debatet që ka patur kohët e fundit Ahmet Toska.

Ndërkohë e tronditur, gruaja e 50-vjeçarit i ka treguar policisë se personi ishte i maskuar dhe ajo nuk e njihte.

Fqinjët u shprehën se familja ishte me orgjinë nga Roskoveci dhe kishte ardhur në vitet ‘90 në Fier. Ata thonë se nuk kishte konflikte me njeri, ndërkohë policia vijon hetimet edhe në pista të tjera, duke përfshirë edhe ndonjë borxh të mundshëm.

Tv Klan