Në të njëjtin vend ku 9 vite më parë i vranë vëllain, në rrugën “Safer Konda” pranë urës së Nisharakut në Tiranë, persona të paidentifikuar ekzekutuan të mërkurën në një atentat mafioz Arben Bilalin. Ish-punonjësi i policisë u qëllua me breshëri kallashnikovi në orën 14:15 minuta, pak çaste pasi kishte parkuar automjetin pranë banesës.

Policia e Tiranës ka shoqëruar të paktën 10 persona gjatë orëve të mbrëmjes që dyshohet se kanë dijeni për dinamikën e atentatit ku mbeti i vrarë Arben Bilali. Burime nga policia e kryeqytetit thonë se viktima mund të jetë ndjekur nga autorët që lëviznin të maskuar në zonë.

Pasi zbrazën plot 14 plumba mbi 50 -vjeçarin, atentatorët u larguan me shpejtësi në drejtim të “Unazës së Re” me një automjet tip “Mercedes Benz” ngjyrë e zezë dhe me targa të huaja.

Mësohet se e gjithë skena është fiksuar nga kamerat e sigurisë, që i përkasin një biznesi, e që tashmë janë sekuestruar nga grupi hetimor.

Blutë e Tiranës kanë dyshime se atentati mund të ketë lidhje me një hasmëri të vjetër të familjes Bilali me një familje tjetër kriminale në kryeqytet, që vepron kryesisht në zonen ku ndodhi atentati.

Edhe ndaj këtij grupi, sipas policisë, ka pasur viktima në atentate gjatë viteve të fundit.

Ish-efektivi i policisë i ka shpëtuar një atentati tjetër në vitin 2010. Në atë kohë Bilali ishte qëlluar me 4 plumba pistolete pranë staudimit “Selman Stërmasi”, por u mbijetoi plagëve të marra.

Tre muaj pas plagosjes, në muajin Gusht atij i vranë vëllain, Leonard Bilalin, ish –mundës i ekipit Dinamo. Ndërsa në vitin 1998, i është vrarë edhe vëllai tjetër, Bujar Bilali.

Tv Klan