Policia prangos autorin, vrasja për shkak të një borxhi

Biznesmeni Niko Goro u qëllua për vdekjeje në një pritë që iu bë mëngjesin e së shtunës, në momentin që doli nga dyqani i motrës së tij, në vendin e quajtur “rrethrrotullimi” në Himarë.

Në drejtim të 51-vjeçarit, i cili ndërroi jetë në vend, u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një person që zbriti nga një makinë tip “Volgswagen Turan” dhe më pas u largua me shpejtësi. Si pasojë e të shtënave mbeti e plagosur në këmbë edhe motra e viktimës, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Në mbështetje të Policisë së Himarës shkuan edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Vlorës dhe rreth 1 orë pas vrasjes, në vendin e quajtur Livadhet prangosën, autorin e dyshuar 53-vjeçarin Kliti Leka nga Tirana.

Në momentin e arrestimit, policia i gjeti një kallashnikov dhe një pistoletë. Hetuesit kanë dyshime se Leka ka pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë. Pista kryesore është ajo për shkak të një borxhi që është përforcuar edhe nga dëshmia e autorit.

Leka ka pranuar autorësinë duke thënë se kishte një prone të trashëguar ne Himarë të cilën ia kishte dhënë biznesmenit për ta shfrytëzuar për ndërtimin e disa pallateve.

Por Leka pretendon se Goro nuk i kishte dhënë paratë dhe ky ka qenë edhe shkaku që pasoi ngjarjen e rëndë. Niko Goro ushtronte aktivitetin edhe në disa struktura hoteliere. Ai është i afërm i kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.

Tv Klan