Një shqiptar në Itali është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në Romë. Sipas mediave italiane, viktima është një 43-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.

Shqiptari u vra me dy plumba pistolete, të cilat e kishin prekur në kokë dhe në gjoks.

Mediat italiane thonë se vrasja ishte kryer me gjakftohtësi. 43-vjeçari shqiptar kishte dalë me leje nga burgu. Ai ndodhej në banesë ku u takua me familjen e tij.

Pasi u përshëndet me familjarët, doli nga shtëpia për t’u rikthyer në burgun e Rebibbia. Mori ashensorin dhe zbriti në katin e parë. Në trotuar e priste vrasësi i tij. Dy të shtëna i morën atij jetën. Ekzekutori duket se ka qenë i mirinformuar që shqiptari kishte dalë me leje nga burgu, dhe kishte planifikuar çdo gjë.

Trupi i 43-vjeçarit u gjet i shtrirë në tokë i pajetë, nga vëllai i tij, një 20-vjeçar, i cili doli menjëherë nga banesa sapo dëgjoi të shtënat e armës. I dëshpëruar dhe duke qarë, vëllai i viktimës bërtiste për ndihmë.

Në vendngjarje shkuan me urgjencë forcat policore dhe ekipet e emergjencës. Këto të fundit bënë çdo gjë për të mbajtur në jetë shqiptarin, por pa rezultat.

Ndërkohë, autoritetet italiane nuk kanë asnjë të dhënë për vrasësit. Hetimet janë fokusuar në të shkuarën e viktimës, pasi dyshohet që ngjarja të ketë lidhje pikërisht me arsyen që 45-vjeçari vuante dënimin me burg. /tvklan.al