Policia arreston njërin prej tyre

Xhetan Konesha, 50 vjeç, mbeti i vrarë me armë zjarri këtë të martë në Dibër. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Luzni dhe autorë të dyshuar të saj janë dy vëllezërit Muhamet dhe Altin Mera, 30 dhe 42 vjeç, fqinj me viktimën.

Burime zyrtare të policisë thonë se shkak për ngjarjen e rëndë u bë një konflikt për motive të dobëta mes palëve, megjithatë rrethanat momentalisht mbeten të paqarta.

Vëllezërit Mera zbrazën breshëri automatiku ndaj 50-vjeçarit Konesha, i cili fillimisht mbeti i plagosur. Ai u dërgua në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë.

Pak kohë pas ngjarjes policia arriti të vinte në pranga një prej vëllezërve, 30-vjeçarin Muhamet Mera. Ndërkohë aktualisht vijon puna për kapjen bashkautori tjetër, i cili pas ngjarjes policia thotë se është larguar në pyll.

Autoritetet sekuestruan edhe automatikun e përdorur në krim.

Burime paraprake për Klan News thonë se shkak për ngjarjen dyshohet të jetë bërë një kanal që kalonte mes banesave të fqinjëve./tvklan.al