Një person është vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur mbrëmjen e kësaj të shtune në Laç. Ngjarja e rëndë ndodhi në sheshin para një hoteli, në aksin rrugor Lezhë-Mamurras.

Burime paraprake bëjnë të ditur se një person ka hapur zjarr duke i marrë jetën një burri 37-vjeçar. Viktima quhet Bujar Lika (Hasani), thonë burimet policore në vendngjarje.

Ndërsa të plagosurit janë P.Gj. 53 vjeç dhe K.T 21 vjeç, të cilët janë dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës, por 53-vjeçari ka ndërruar jetë disa orë më pas në spital. Shkaqet e ngjarjes së rëndë mbeten të paqarta.

Burimet policore nga vendngjarja thonë se dyshohet që edhe autori të jetë i plagosur, por mbetet ende për t’u konfirmuar. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe një pistoletë, çka shton dyshimet se mund të ketë pasur shkëmbim zjarri.

Në vendngjarje ka shkuar edhe drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, ndërsa forcat e FNSH-së janë duke krehur zonën për të shoqëruar persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Informacioni paraprak i policisë:

Më datë 30.05.2020, rreth orës 22:17, në autostradën Mamurras-Lezhë, në fshatin Gjormë, Kurbin, në ambjentin e jashtëm të një hoteli, në rrethana ende të paqarta ka mbetur i vrarë me armë zjarri shtetasi B.H.,37 vjeç dhe janë plagosur shtetasit P.Gj.,53 vjeç dhe K.T., 21 vjeç, të cilët janë transportuar në spitalin e Traumës, Tiranë.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisatiatit të Policisë Kurbin dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë nga Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, specialistë të DVP Lezhë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gyqësor Kurbin, vijon puna për administrimin e çdo provë të vlefshme që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes.

Në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar edhe dy grupe të FNSH-së Shkodër dhe vijon krehja e zonës dhe shoqërimi i personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen. /tvklan.al