Një 21-vjeçar shqiptar është vrarë në Britaninë e Madhe pas një sulmi me thikë. Mësohet se viktima është Renato Geci.

Standard raporton se në momentin e ngjarjes, Geci ndodhej së bashku me një tjetër person rreth të 20-ave, i cili mbeti i plagosur. Pavarësisht se menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e emergjencës, 21-vjeçari shqiptar u shpall i vdekur në skenën e krimit. Personi tjetër, identiteti i të cilit nuk dihet, u dërgua në spital, ku mundi t’i mbijetojë plagëve.

Bëhet e ditur se këtë të enjte janë vënë në pranga dy persona. Një 31-vjeçar u arrestua nën akuzën e vrasjes, ndërsa një grua 27-vjeçare u prangos nën dyshimet për bashkëpunim në krim. Ata ndodhen në ambientet e paraburgimit në një stacion policor në Londër.

Një i afërm i viktimës, Ritvan Geci, tha në Facebook se ishte i hidhëruar për këtë ngjarje tragjike. “Qofsh i parajsës vëlla. Do të qëndrojmë të fortë për ty, sepse kështu doje të na shikoje”, shkruante ai.

Banorët në lagjen ku ndodhi ngjarja tha se dëgjuan të bërtitura fillimisht, ndërsa më pas sirenat e policisë.

“U zgjuam nga sirenat e policisë. Ishte shumë shokuese. Të gjithë banorët po më pyesnin se çfarë ka ndodhur”, tha Afzaal Kiani, i cili banonte vetëm disa metra larg vendit ku ndodhi ngjarja.

Ndërkohë detektivi Garth Hall kërkoi bashkëpunimin e njerëzve për çdo informacion të mundshëm në lidhje me ngjarjen.

“Po kërkojmë për kamerat e sigurisë. Keni parë ndonjë aktivitet të dyshimtë në rrugë? Nëse keni parë ndonjë gjë që ju është dukur e pazakontë, qoftë kjo edhe e parëndësishme kemi nevojë që të na e tregoni”, tha ai. /tvklan.al