Ora 20:30-Një i vrarë dhe një i plagosur është bilanci tragjik i një sherri me thika të ndodhur mbrëmjen e kësaj të premteje në qytetin e Elbasanit. Viktimë nga kjo ngjarje ka mbetur një djalë 28-vjeçar, Florenc Kovaçi. Ndërsa vëllai i tij i vogël, 19-vjeçari Mikel Kovaçi ka mbetur i plagosur.

Zyrtarisht, policia e Elbasanit tha se ngjarja ndodhi rreth orës 19:50, në lagjen “Qemal Stafa”. Paraprakisht dyshohet se gjithçka erdhi pas një konflikti për motive të dobëta mes dy vëllezërve dhe disa personave të tjerë. Përplasja mes palëve u përshkallëzua deri në përdorimin e thikës, që ishte fatale për 28-vjeçarin që humbi jetën.

Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje u kap rreth 3 orë pas krimit. Ai është 24-vjeçari Ardit Hida, i cili u kap në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese”.

Burime nga blutë e Elbasanit bëjnë të ditur se shkak i konfliktit që degjeneroi në përdorimin e armëve të ftohta dyshohet se ka qenë një vajzë. Megjithatë hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë.

Ora 21:00-Njoftimi i Policisë | Më datë 05.11.2021, rreth orës 19:50, në lagjen “Qemal Stafa”, Elbasan, pas një konflikti për motive të dobëta mes dy vëllezërve dhe disa personave të tjerë, konflikti është përshkallzuar dhe për pasojë dy vëllezërit janë plagosur me mjet prerës thikë.

Si pasojë e plagëve të marra njëri prej vëllezërve Florenc Kovaçi, rreth 28 vjeç, banues në Elbasan ka ndërruar jetë ndërsa vëllai tjetër Mikel Kovaçi 19 vjeç, ndodhet në spital për ndihmë mjeksore.

Ora 22:55-Policia e Elbasanit ka mundur të verë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 28-vjeçarit Florenc Kovaçi dhe plagosjes së vëllait të tij 19-vjeçar Mikel Kovaçi. Ai është 24-vjeçari Ardit Hida, i cili u arrestua në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese”, rreth 3 orë pas ngjarjes.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti mes palëve për motive të dobëta, që çoi deri në përdorimin e thikës. Policia ka mundur të sekuestrojë edhe armën e krimit.

“Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë të Komisariatit të Policisë Elbasan dhe ato të DVP, veprimeve të shpejta hetimore e profesionale, krehjes së zonës dhe kontrolleve të shumta, u bë e mundur kapja e autorit të dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e sotme në Elbasan. Shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në Polici për veprime të mëtejshme shtetasin Ardit Hida 24 vjeç, i cili u kap në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese”.

Gjithashtu u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i thikës me të cilën ky shtetas plagosi dy vëllezërit, ku si pasojë e plagëve të marra njëri prej vëllezërve shtetasi F.K., rreth 28 vjeç, banues në Elbasan ka ndërruar jetë ndërsa vëllai tjetër shtetasi M.K.,19 vjeç, ndodhet në spital për ndihmë mjeksore. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, tha policia në një njoftim për mediat. /tvklan.al