vrasje

Policia e Tiranës është në kërkim të personit që mbrëmjen e kaluar vrau me armë zjarri 38- vjeçarin Shkëlzen Leka, në një atentat në rrugën “Islam Alla” në kryeqytet. Viktima ndodhej i ulur një restorant kur u qëllua nga një distancë e afërt nga një person i maskuar që më pas u largua nga vendi i ngjarjes me një motoçikletë.

Shkëlzen Leka nga fshati Babrru i Tiranës mbeti i plagosur por ndërroi jetë në spitalin e traumës pa hyrë në sallën e operacionit. Ekspertët e kriminalistikës gjetën në vendngjarje mbi 8 gëzhoja pistolete, ndërsa policia shoqëroi gjithë dëshmitarët okularë dhe rreth 15 persona të tjerë, të cilët mund të japin të dhëna të vlefshme për hetimin.

Pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes, që ka lidhje me vrasjen e Gjin Nikës në Prill të këtij viti, në afërsi të Urës së Tapizës në Tiranë.

Jo zyrtarisht, burimet thonë se pas kësaj ngjarje fshihet konflikti për galeritë e kormit në Bulqizë mes Gjin Nikës dhe Alban Lekës, vëllait të viktimës, i cili jeton jashtë Shqipërisë.

Gjin Nika u ekzekutua më 3 Prill 2014 pak ditë pasi Gjykata Apelit e Tiranës kishte ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim me paraqitje”.

Ndërkohë Shkëlzen Leka ka qenë dëshmitar kundër Gjin Nikës për plagosjen Gentian Kaçit, ngjarje e ndodhur më 8 Prill të vitit të kaluar.

Tv Klan