Demir Backa u qëllua me breshëri automatiku në makinën e tij

Një 57-vjeçar i identifikuar si Demir Backa ka mbetur i vrarë gjatë një atentati me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në Fier.  Ngjarja ndodhi në rrethrrotullimin e rrugës së vjetër që lidh qytetin e Fierit me Vlorën, pranë një qendre tregtare, ndërsa 57-vjeçari mësohet se është qëlluar me breshëri automatiku brenda kësaj makine Audi.

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, por burime nga vendi i ngjarjes konfirmuan se Demir Backa, i cili ndryshe njihej edhe si Dem Backa, kishte dalë nga një kafe aty pranë dhe sapo kishte hipur në automjetin e tij kur është qëlluar me breshëri automatiku. Policia e Fierit bëri të ditur se autorët kanë qëlluar nga një makinë tip Benz në lëvizje, por duke shënjestruar mirë objektivin e tyre. Kjo dallohet edhe nga shenjat e plumbave në xhamin e automjetit të cilat janë të gjitha të përqendruara në pjesën e shoferit, ku qëndronte Backa.

Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë lajmëruar policinë dhe ambulancën të cilat pasi mbërritën në vendin e ngjarjes e gjetën 57-vjeçarin ende me shenja jete. Ai u dërgua menjëherë në spital, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra. Pak momente pas ngjarjes policia gjeti një mjet të djegur në afërsi të fshatit Daullas, pranë spitalit Memorial të Fierit, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët e këtij atentati.

Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe 2 grupe të FNSH bënë rrethimin dhe krehjen e zonës, ndërsa janë ngritur edhe disa pika kontrolli hyrje dhe dalje të qytetit të fierit. Ndërkohë që grupi hetimor përveç gëzhojave në vendin e ngjarjes, sekuestroi edhe pamjet filmike të bizneseve aty pranë.

Viktima mësohet se është biznesmen që zotëron një lokal të njohur në qytetin e Fierit dhe një hotel në Sarandë. Ndaj dhe dyshimet e para të policisë lidhur me këtë ngjarje janë mosmarrëveshjet për çështjen e bizneseve, por nuk përjashtohen edhe ato familjare.

Tv Klan