Vritet në atentat Shkëlzen Kastrati, 5 vjet më parë ekzekutimit i shpëtoi i vëllai



Vritet në atentat Shkëlzen Kastrati, 5 vjet më parë ekzekutimit i shpëtoi i vëllai

15:46 01/02/2021

Ishte ora 10 e 30 e mëngjesit të së hënës kur Shkëlzen Kastrati u ekzekutua nga persona të panjohur në makinën e tij pranë fshatit Sheq të Fierit, në një atentat të mirëmenduar. Autorët duket se e kanë mbajtur nën vëzhgim 41-vjeçarin që shihni në këtë foto, pasi sapo viktima është futur në kthesë, ka ulur shpejtësinë e makinës tip Benz.

Në këtë moment nga një makinë tjetër tip Range Rover është qëlluar nga një armë Skorpion me sileciator me 2 plumba, të cilët njëri e ka kapur në kokë dhe tjetri në krah. Kastrati ka humbur jetën në vend.

Makina e tij ka lëvizur edhe për disa metra dhe është ndalur kur ka goditur një tjetër automjet që nuk kishte lidhje me ngjarjen. Trupi i viktimës ka qëndruar për gati një orë në automjet derisa ekspertiza ka marrë të gjitha të dhënat.

Pak minuta pas krimit të rëndë policia ka gjetur të djegur mjetin tip Range Rover pranë mbikalimit të Baltzës në fshatin Mbrostar të Fierit. Brenda në mjet është gjetur edhe një armë automatike me të cilën dyshohet se është qëlluar viktima.

Pista kryesore ku po heton policia është hakmarrja. Shkëlzen Kastrati është vëllai i Klemend Kastrati, i cili më 8 Janar 2016 mbeti i plagosur në një atentat ku humbi jetën Denis Kasa dhe u plagos Elton Margariti. Ngjarja ndodhi në dalje të autostradës Lushnje-Fier.

Objektiv i atentatit ishte Kelmend Kastrati, i cili mundi t’u shpëtojë plumbave. Për këtë ngjarje u arrestua edhe një punonjës i SHISH që u akuzua se i jepte informacione një grupi rival.  

Tv Klan










Të ngjashme