Vritet në atentat vëllai i Talo Çelës


Vritet në atentat vëllai i Talo Çelës

07:49 17/09/2020

Vëllai i Talos Çelës, të shumëkërkuarit nga policia, ka mbetur i vrarë në një atentat me armë zjarri mëngjesin e kësaj të enjteje.

Foto: Viktima Bujar Çela

Viktima është Bujar Çela i datëlindjes 19 Mars 1958. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:45 në fshatin Bradashesh të Elbasanit përpara një lokali. Tvklan.al mëson nga burimet policore se 62-vjeçari Bujar Çela punonte si taksist pa licencë.

FOTO NGA VENDNGJARJA

Nga informacionet paraprake, bëhet me dije se Çela u qëllua me armë sapo zbriti nga makina për t'u ulur në një lokal. Dyshohet se ai ishte ndjekur nga atentatorët, të cilët besohet të kenë qenë të paktën 2 persona. Sipas dëshmitarëve, vrasësit kanë qenë të maskuar.

FOTO NGA VENDNGJARJA

GJENDET MAKINA E AUTORËVE TË DYSHUAR TË VRASJES SË BUJAR ÇELËS

Pas atentatit ndaj 62-vjeçarit Bujar Çela, autorët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja. Disa minuta më vonë, në fshatin Murrash u gjet e djegur një makinë që dyshohet se u përket atentatorëve. Makina është tip Renault me targa AA 876 DC.

Foto: Makina e djegur e autorëve të dyshuar të vrasjes

INFORMACIONI PARAPRAK I POLICISË SË ELBASANIT:

Rreth orës 05:45 , në fshatin Bradashesh,  Elbasan,  në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri para një  lokali shtetasi B.Ç., rreth 50 vjeç, banues në fshatin Bradashesh, Elbasan. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes ,  identifikimin e kapjen e autorit/ëve. Shërbimet e Policisë kanë  ngritur pika kontrolli në hyrje -dalje të qytetit të Elbasanit, pika kontrolli në akset rrugore  nacionale në bashkëpunim me DVP Durrës, Fier e Tiranë. Në ndihmë të shërbimeve të DVP Elbasan kanë ardhur dhe FNSH dhe RENEA dhe vijon krehja e zonës.

BUJAR ÇELA ËSHTË VËLLAI I TALO ÇELËS, TË SHUMËKËRKUARIT NGA POLICIA

Bujar Çela është vëllai i Talos Çelës, njeriut më të kërkuar për momentin nga policia, për kapjen e të cilit është vendosur edhe një shpërblim prej 10 milionë Lekë të vjetra. Ai është në kërkim si një nga anëtarët e bandës së supergrabitjeve të parave në aeroportin e Rinasit, si dhe i akuzuar gjithashtu për disa vrasje.

Më 13 Korrik 2020, Talo Çela dha nga arratia një intervistë ekskluzive për emisionin “Uniko” nga gazetari Spartak Koka në televizionin Klan Plus. Në këtë intervistë, Talo Çela mohonte të gjitha akuzat e policisë për përfshirje në grabitjet e Rinasit dhe vrasjet e ndodhur në aksin Durrës-Elbasan-Peqin.

KUSH ËSHTË TALO ÇELA, I SHUMËKËRKUARI NGA POLICIA

Talo Çela, që prej vitit 2019 rezulton të jetë personi më i kërkuar në Shqipëri. 49 vjeç me origjinë nga Elbasani, Çela u shpall në kërkim pas grabitjes së 9 Prillit 2019 brenda aeroportit të Rinasit ku një grup i armatosur i drejtuar nga Admir Murataj dhe Klement Çala grabitën 6.2 milionë Euro, para të bankave të nivelit të dytë që do të transferoheshin me avion jashtë vendit.

Çela akuzohet se ka qenë një prej autorëve të përfshirë në këtë grabitje. Që prej asaj kohe, 49-vjeçari i është shmangur dorëzimit në polici, ndërsa gjatë kësaj kohe në dy ngjarje të ndryshme në Durrës mbetën të vrarë 4 persona. Më konkretisht, më 2 Mars 2020 vriten pranë një servisi Anxhelo Avdia 24 vjeç dhe 35-vjeçari Dorian Shkoza.

Në ngjarjen tjetër, atë të 27 Prillit pranë tregut të makinave në Durrës, vriten në pritë vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia. Për këtë ngjarje më 1 Maj policia njoftoi se kishte arrestuar Altin Ndocin dhe Klevis Allën si autorë të dyshuar të ngjarjes. Alla, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ndihmoi policinë në gjetjen e armëve dhe makinës së përdorur në krim.

Por më datën 7 Korrik njoftoi se kishte vënë një shpërblim financiar për këdo që jepte informacion për vendndodhjen e Talo Çelës, pasi ky shtetas përveç grabitjes së Rinasit, dyshohet dhe si autori i vrasjes së dy vëllezërve Haxhia në Durrës. Policia kërkoi ndihmën e qytetarëve që të telefononin në numrin 112 ose tek numri i shefit të sektorit të krimeve të rënda në Policinë e Shtetit.

Sipas informacionit të publikuar në media, nga dëshmitari i drejtësisë dhe të dhëna të tjera implikonin Talo Çelën si pjesëmarrës në vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia. Në rrugë operative policore, Talo Çela dyshohet dhe në vrasjet e ndodhura gjatë Dhjetorit 2018 dhe vitit 2019 në Elbasan, vrasje me pagesë për llogari të një grupi kriminal.

Me gjithë këto informacione operative dhe me këto akuza, Talo Çela është për momentin njeriu më i kërkuar në Shqipëri. /tvklan.al





Të ngjashme