Vritet në Iran “numri 2” i Al-Qaeda

Vritet në Iran “numri 2” i Al-Qaeda

12:43 14/11/2020

SHBA kishte vendosur 10 mln USD për kapjen e tij

Numri 2 i Al-Qaeda është ekzekutuar në një operacion të fshehtë të shërbimeve sekrete në Iran. Abdullah Ahmed Abdullah konsiderohet përgjegjës për sulmet terroriste të 1998-ës kundër ambasadave amerikane në Tanzani dhe në Kenia ku humbën jetën 224 persona dhe mbetën rreth 5 mijë të plagosur.

Sipas Neë York Times që publikon lajmin ai ishte në listën e personave më të kërkuar të FBI dhe autoritetet amerikane kishin vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarë për kapjen e tij.

Sipas të njëjtave burime, ai u vra nga dy agjentë izraelitë që lëviznin me një motor në një operacion për llogari të Shteteve të Bashkuara. Ekzekutimi ka ndodhur në 7 Gusht në përvjetorin e sulmeve në ambasada, por ende zyrtarisht nuk është konfirmuar as nga Shtetet e Bashkuara, Irani, Izraeli apo Al-Qadea.

New York Times shkruan se është ende i paqartë roli që luajtën shërbimet sekrete amerikane në këtë operacion. Abdullah u vra së bashku me vajzën e tij, e veja e djalit të Osama bin Laden.

57-vjeçari konsiderohej truri i sulmeve terroriste dhe sipas autoriteteve amerikane ai ishte një nga planifikuesit më të aftë të operacioneve në terren.

Tv Klan



Të ngjashme