Një incident i armatosur ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Shkup. Si pasojë ka humbur jetën një person.

Siç shkruan Klan Macedonia, viktima është këngëtari dhe blogeri i njohur, Amar Ismani, 29 vjeç. Në sherr janë përfshirë disa persona, ndërsa të plagosur kanë mbetur dy prej tyre.

Amar Ismani (majtas) dhe pamje nga vendi i ngjarjes (djathtas)
Amar Ismani (majtas) dhe pamje nga vendi i ngjarjes (djathtas)

Ngjarja e rëndë ndodhi në Rrugën e Plastikave në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Siç duket edhe nga pamjet, në vendin e ngjarjes kanë shkuar me dhjetëra forca policie.

Amar Ismani humbi jetën në spital

Në lidhje me rastin ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Mësohet se Ismani u dërgua në spital pak para mesnatës. Pas rreth 1 ore ai ndërroi jetë si pasojë e plagëve.

“Në ora 23:45 nga Spitali i Përgjithshëm i qytetit “Shën Naum Ohri” është njoftuar se me plagë nga arma e zjarrit është sjellë T.A. (24 vjeç) nga Shkupi. Në orën 23:51, nga Kompleksi i Klinikës “Nënë Tereza” është raportuar se me plagë me armë zjarri i janë sjellë O.B (19) dhe Amar Ismani (29 vjeç), ku pas ndihmës së dhënë, në orën 00:45. më 27/05/2024, Amar Ismani ka vdekur”, thonë nga MPB.

Nga ana tjetër prokuroria ka nisur hetimet. Autoritetet pritet që të kryejnë një ekspertizë të gjurmëve të marra nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që ende nuk dihen autorët e saj.

Amar Ismani
Amar Ismani

“Të Allahut jemi dhe tek ai do kthehemi”

Sa i përket vdekjes së Ismanit, ka reaguar edhe vëllai i tij.

“Të Allahut jemi dhe tek ai do kthehemi. Me zemër të thyer e të pikëlluar ju njoftoj se ka ndërruar jetë djali/vëllai jonë Amar Ismani. Ceremonia e varrimit do të bëhet sot me namazin e Iqindis në xhamin e Cairit, dhe pastaj te varrezat në Butel”, ka shkruar Edin Ismani, vëllai i të ndjerit në Facebook.

Edin Ismani, vëllai i Amar Ismanit reagon pas vrasjes
Edin Ismani, vëllai i Amar Ismanit reagon pas vrasjes

Këngëtari ishte shumë i njohur në Maqedoninë e Veriut. Vetëm në Instagram e ndiqnin rreth 303 mijë persona. Disa nga këngët e tij të famshme ishin “Bad Bitch” me Benny Bee, “Sjom mo”, “C’est la vie”, “Shawty”, “Ferrari” etj./tvklan.al