Një ngjarje e rëndë tronditi pasditen e kësaj të mërkure Prishtinën. Albert Krasniqi, biznesmen e njëkohësisht ish-menaxher i “Babastars” mbeti i vrarë me armë zjarri. Identiteti i viktimës konfirmohet nga gazetarja e Tv Klan në Kosovë, Blerta Dalloshi Berisha.

Ngjarja e rëndë ndodhi në shtëpinë e familjes Krasniqi dhe autor i dyshuar është i ati i biznesmenit, Skënder Krasniqi.

“Rreth orës 17:00 policia ka marrë informatën për një vrasje të ndodhur në rrugën ” Ndue Perlleshi” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Një person është arrestuar, si dhe është konfiskuar një armë që dyshohet të jetë arma e përdorur në rast”, tha policia e Prishtinës në një njoftim për mediat.

Krasniqi nuk është një emër i panjohur për publikun, por dhe drejtësinë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Në vitin 2016-të, Krasniqi hapi zjarr në drejtim të reperit Noizy në Prishtinë, duke e lënë atë të plagosur. Për ngjarjen ai qëndroi një muaj në burg dhe më pas u la i lirë.

Krasniqi ishte i martuar me ish-Missin Besa Gashi, martesë e cila siç shkruanin vetëm 4 ditë më parë mediat në Kosovë, kishte marrë fund.

Deri më tani, mbeten të paqarta shkaqet që e çuan Skënder Krasniqin t’i merrte jetën djalit të tij./tvklan.al