Forcat speciale RENEA kanë vrarë 35-vjeçarin Kostandinos Kaçifa, i cili sulmoi me armë policinë ditën e sotme në fshatin Bularat të Dropullit në Gjirokastër.

Mes tij dhe forcave speciale ka pasur shkëmbim të ashpër zjarri, duke u rrezikuar seriozisht edhe jeta e efektivëve të RENEA-s.

Kjo ndikohej edhe për shkak të terrenit të vështirë malor, ku mundësia e mbrojtjes së uniformave blu ishte e ulët. Forcat RENEA intensifikuan shkëmbimin e zjarrit ndaj 35-vjeçarit, duke e lënë të vrarë. Burimet thanë për tvklan.al se autori ishte i armatosur me 3 karikatorë kallashnikovi dhe qëllonte me breshëri vazhdimisht ndaj policisë.

Minoritari Kostandinos Kaçifa me origjinë nga fshati Bularat i Dropullit, jetonte në Athinë dhe prej një jave ishte kthyer në fshat. Në rrjetet sociale ai kishte treguar sjellje ekstremiste, ku disa ditë më parë në datë 23 Tetor dukej sikur kishte paralajmëruar atë që do të ndodhte sot.

Rreth orës 10:00 ai qëlloi me breshëri në ajër dhe më pas drejt një makine të policisë, që ishte e stacionuar në fshatin Bularat pasi zhvillohej festa në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke. Pas të shtënave, policia u vu në ndjekje të tij, por 35-vjeçari u largua drejt pjesë së sipërme të fshatit, ku qëndronte i fshehur pranë depos së ujit. Ai ishte i veshur me rroba ushtarake dhe i armatosur rëndë. Prej pikës ku qëndronte i fshehur, qëllonte vazhdimisht ndaj forcave speciale. RENEA e kishte lokalizuar dhe e mbante të rrethuar duke i brë thirrje për t’u dorëzuar, por i dyshuari refuzonte. Nga ajri po patrullonte edhe një helikopter i policisë.

Në vendngjarje, krahas grupit hetimor, ka shkuar edhe prokurori i gatshëm për të kqyrur provat në vendngjarje.

/tvklan.al

Njoftimi i Policisë së Gjirokastrës:

Bularat, Gjirokastër

Në vijim të informacionit të dhënë më parë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Bularat ku shtetasi Kostandinos Kaçifa ka qëlluar me armë zjarri në ajër e më pas mbi Policinë ju informojmë se:

Forcat RENEA janë vënë në ndjekje të tij. Në faqen e malit mbi depon e ujit të fshatit Bularat, shtetasi Kostandinos Kaçifa është lokalizuar nga forcat speciale.

Forcat RENEA i kanë bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi Kaçifa nuk i është përgjigjur thirrjes së herëpashershme të policise, por ka hapur zjarr me arme duke rrezikuar seriozisht jetën e efektiveve edhe për shkak të terrenit ku mundësia e mbrojtjes ishte e ulët.

Forcat RENEA janë kundërpërgjigjur dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i varë shtetasi K. Kaçifa. Në vendngjarje ka mberritur grupi hetimor ku vijojnë veprimet e tjera, nen drejtimin e Prokurorise.